10 Hapa për shëndetin mendor
- Si ndjehem unë?
- Si ndjehen bashkëfamiljarët e mi?
- Çfarë do të më ndihmonte që të ndjehem mirë në Zvicër?
Askush nuk është i përsosur.
Ta njoh veten time do të thotë t’i njoh dhe t’i përdor aftësitë e mia dhe ta di se çfarë më kënaq. Jam në gjendje të jem i vetëdijshëm për trupin tim dhe i dalloj sinjalet që më lëshon ai, duke fituar siguri në vetvete. I dalloj dëshirat e mia dhe kështu mund të marr vendime që më bëjnë mirë. Njohuritë për pikat e mia të forta dhe aftësitë që kam më bëjnë të pranoj se edhe gabimet dhe pikat e dobëta janë pjesë e imja. Të shqetësohem për veten do të thotë të mendoj për veten time edhe kur të tjerëve nuk u pëlqen. Kjo kërkon guxim. Për këtë shkak, shikoj deri ku arrijnë kufijtë e mi dhe e ndjej se çfarë është e mirë për mua dhe çfarë më dëmton.
Shumë gjëra nisin gjatë bisedës.
Të flasësh për gjërat, të dëgjosh, t’i rregullosh gjërat, t’i sqarosh, të tregosh interes, t’i shprehësh gjërat me fjalë, të thuash çfarë të emocionon – janë gjëra që ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe presionit. Për të prekurit, po shpesh edhe për personat përreth, nuk është gjithmonë e lehtë të flasin hapur për shqetësimet që kanë. Por, nëse marr guximin të flas për problemet e mia me të tjerët, shpesh nga të dyja anët lindin perspektiva të reja, madje edhe zgjidhje. Është në natyrën njerëzore që njerëzit t’i ndajnë gëzimet dhe hallet midis tyre.
Fut lëvizje në jetën tënde.
Lëvizja fizike përbën një balancë të çmuar për përditshmërinë tonë shpeshherë stresuese, të tensionuar dhe përplot ngacmime. Megjithatë, ne lëvizim gjithnjë e më pak. Si një rregull praktike vlen: njeriu duhet të lëvizë të paktën 2½ orë në javë, në formën e aktiviteteve të përditshme ose sportit. Këtu llogaritet çdo formë lëvizjeje mbi 10 minuta, gjatë së cilës pulsi dhe frymëmarrja përshpejtohen pak.
Miqësitë janë të çmueshme.
Me miqtë ndjehem lirshëm, mund të flasim me njëri-tjetrin për gjithçka. Gjërat intime mbeten midis nesh. Nga shoqet nuk dua presion dhe megjithatë u gjendem pranë kur kanë nevojë për mua. Shokët mund të kritikojnë dhe të më lejojnë që të jem ai që jam.
Miqësitë janë të çmueshme.
Me miqtë ndjehem lirshëm, mund të flasim me njëri-tjetrin për gjithçka. Gjërat intime mbeten midis nesh. Nga shoqet nuk dua presion dhe megjithatë u gjendem pranë kur kanë nevojë për mua. Shokët mund të kritikojnë dhe të më lejojnë që të jem ai që jam.
Në qetësi gjej forca të reja.
Procesi i të menduarit është një rrjedhë e brendshme dhe e vazhdueshme pamjesh, mendimesh, një gjendje e përhershme trazimi. Prandaj është e rëndësishme që pas një faze aktive të vijojë një fazë relaksimi dhe ripërtëritjeje. Kur jemi të çlodhur, ndjehemi mirë, jemi të qetë, të lirë dhe të gjallë. Kush është i çlodhur mund ta vlerësojë më mirë veten dhe të tjerët dhe të marr vendime në qetësi. Relaksimi gjendet kudo dhe nuk kushton asgjë.
Të kërkosh ndihmë duhet guxim.
Kush kërkon ndihmë tregon forcë dhe jo dobësi. Ka njerëz që dëshirojnë të më ndihmojnë kur ua tregoj shqetësimet. Edhe kur kërkoj ndihmë, unë nuk jam njeri i dobët. Të kërkosh ndihmë do të thotë gjithashtu të fitosh besim të ndërsjellë. Kësisoj mund të jem sërish aktiv dhe nuk ndjehem sikur i jam dorëzuar i pashpresë ndjenjave dhe shqetësimeve të mia. Në situata tepër të rënduara është e rëndësishme që njeriu të përqendrohet te aftësitë e veta thelbësore, t’ua kalojë të tjerëve detyrat dhe të marr në konsideratë ndihmën. Kjo gjë kërkon besim dhe konfidencë – edhe te të tjerët.
Ne të gjithë jemi kreativë brenda nesh!
Shumë njerëz mbajnë brenda vetes nostalgji, dëshira, ankthe dhe mendime, të cilat nuk mund t’i shprehin me fjalë. Nëpërmjet aktiviteteve kreative – pikturë, muzikë, punë artizanale, gatim, mbledhje lulesh e shumë gjëra të tjera – ju mund t’i shprehni këto ndjenja. Kreativiteti më krijon një balancë për shumë shqetësime që më ndrydhin. Në këtë mënyrë mund të relaksohem dhe të marr forcë.
Njerëzit janë qenie shoqërore.
Të jesh pjesë e një bashkësie përbën një nga përvojat më të rëndësishme të jetës. Bashkësia kërkon që ne t’i përballojmë gjërat me guxim. Të marr pjesë do të thotë që dëshirat, interesat, aftësitë dhe shpresat e mia t’i vendos atje ku janë gjërat që për mua janë të rëndësishme. Të jetosh në një bashkësi do të thotë edhe: ndjehem i vlerësuar nga të tjerët dhe i mbështes të tjerët.
Mbaji nën kontroll krizat e jetës.
Të marrësh veten nga një tronditje, hidhërim dhe ngjarje traumatike kërkon kohë. Prandaj duhet të merrni kohën e nevojshme, por edhe t’i ruani të tjerët në situata krize. Kur duket se asgjë nuk ka më kuptim, është mirë të përqendroheni në ritmin e jetës (të ushqyerit, frymëmarrja, gjumi, lëvizja). Nuk kam pse t’i kaloj këto gjëra i vetëm. Kam të drejtë që në situata krize të kërkoj dhe të marr ndihmë profesionale.